Pacientët në QKUK në lista pritjesh nga viti 2020
Qendra Klinike Universitare e Kosovës është e mbingarkuar me rreth 10.000 pacientë që lëngojnë në lista të pritjes për shërbime thelbësore mjekësore.
Zyra e Auditorit Kombëtar gjeti se pjesa më e madhe e tyre endet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pasuar nga Ortopedia, Oftalmologjia, Kardiologjia, Radiologjia dhe Kardiokirurgjia.
Pritja mesatare atje arrin në gati tre vjet, sipas raportit të Auditorit, që u publikua në fund të muajit të kaluar.
Auditori e hodhi përgjegjësinë te Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), duke thënë se këto institucione nuk kanë arritur t’i krijojnë kushtet e nevojshme për trajtimin në kohë të pacientëve.
Ministria nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, ndërsa SHSKUK-ja tha se pritjet e gjata do të vazhdojnë edhe për një kohë.
Sipas Auditorit, situatës së tillë i kontribuon mungesa kritike e personelit mjekësor, e sidomos anesteziologëve, e cila çon në shtyrjen e operacioneve.
Katër vjet pritje
Kujtimit – nga Deçani, pjesa qendrore e Kosovës – iu desh të priste më shumë se tre vjet për të operuar venat në njërën këmbë.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me të më 9 shtator – ditën kur ishte shtrirë në Kirurgjinë Vaskulare për t’iu nënshtruar operacionit.
Se sa urgjent ishte rasti i tij, tha se nuk e dinte, por se “pritja ishte e lodhshme”.
“Ndoshta do të shkoja në ndonjë institucion privat, por nuk i kisha mundësitë. Sistemit publik, po ashtu, i besoj më shumë”.
Ndërhyrja në vena në spitalet private në Kosovë kushton së paku një mijë euro, ndërsa në QKUK ky shërbim nuk paguhet.
Në Kirurgjinë Vaskulare të QKUK-së, auditori gjeti edhe raste të pacientëve të regjistruar në listë të pritjes në janar të vitit 2020, të cilët u operuan në prill të vitit 2024.
Drejtori i klinikës, Hajriz Rudari, numëron dy arsye për këtë: mungesën e anesteziologëve dhe të shtretërve.
Rastet që presin më gjatë, sipas tij, janë ato me probleme në vena, e që, siç thotë, janë më të lehta.
“Në klinikën tonë trajtohen sëmundje të ndryshme, përfshirë problemet arteriale, problemet venoze, e shto këtu edhe patologjinë e shputës diabetike. Ne jemi i vetmi vend në Kosovë, ku merremi me problemet dhe komplikimet e shputës diabetike. Shputa diabetike kërkon trajtim të gjatë në klinikë dhe [mungesa e shtretërve] – përveç mungesës së anesteziologëve – është arsyeja përse krijohen lista të gjata pritjeje”, thotë Rudari.
Deri më tash këtë vit, janë larguar dy, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës. Ndërsa, në periudhën 2019-2023 janë larguar 29.
Përveç anesteziologëve, janë edhe specialistë të tjerë që largohen nga QKUK-ja.
Sipas Odës së Mjekëve, në pesë vjetët e fundit janë larguar gjithsej 142.
Nga kjo odë thonë se arsyet e atyre që largohen, lidhen me kushtet jo të mira në QKUK dhe pagat, vlera bazë e të cilave sillet rreth 1.200 euro.
Një anesteziolog që është larguar para një viti nga QKUK-ja, por nuk ka dashur të identifikohej dhe të jepte hollësi për institucionin ku është i angazhuar tani.
“Për një punë të madhe në QKUK, ti paguhesh aq sa paguhen edhe të tjerët që bëjnë punë shumë më të vogla”, tha shkurtimisht ai.
Në raportin e Auditorit thuhet se SHSKUK-ja, që mbikëqyr QKUK-në dhe shtatë spitalet rajonale të Kosovës, ka zhvilluar gjatë viteve 2019-2023 dy procese të rekrutimit të anesteziologëve.
Sipas raportit, atëkohë janë rekrutuar vetëm 23 syresh, që do të thotë se nuk janë zëvendësuar të gjithë mjekët e larguar.
Udhëheqësit e SHSKUK-së thonë se Klinika e Anesteziologjisë ka nevojë për së paku 100 anesteziologë, në mënyrë që shërbimet të ofrohen në kohë.
Sipas drejtorit Elvir Azizi, mungesa e tyre do të vazhdojë edhe për një kohë.
Vitin e ardhshëm, specializimin në anesteziologji pritet ta përfundojnë mbi 15 mjekë, por se nuk është e sigurt nëse të gjithë ata do të shërbejnë në sistemin publik, sepse disa e kanë vetëfinancuar aftësimin dhe kanë të drejtë të zgjedhin.
“Mendoj se me një organizim pak më të mirë mund të ketë përmirësime. Jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Azizi në një mbledhje të bordit të SHSKUK-së që u mbajt javën e kaluar.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në bashkëpunim me SHSKUK-në, bën planifikimin e burimeve njerëzore.
Por, kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me gjetjet e Auditorit.
Problemet e tjera
Përveç mungesës së anesteziologëve, klinikat me lista të gjata pritjesh kanë edhe mangësi të tjera – Oftamologjisë, për shembull, për një kohë i kanë munguar thjerrëzat, ndërsa Ortopedisë protezat.