Ozil bëhet fans i Tottenhamit: Forca, nëse fitoni – nuk do t’iu ngacmoj më kurrë
Ish mesfushori Mesut Ozil ka vendosur ta mbështet Tottenhamin ndoshta për herë të parë në jetë në përballjen e rëndësishme ndaj Manchester Cityt.
Arsenali është afër që të bëhet kampion i Premierligës, mirëpo duhet të shpresojë që City të lëshojë pikë në dy xhirot e mbetura, ndaj Tottenham respektivisht West Ham United.
Në fakt për shumë tifozë, të martën do të vendoset përfundimisht titulli ngase është përballja më e vështirë e Cityt, si mysafir i Tottenhamit.
Kësisoj, Ozil për herë të parë në jetë ka vendosur ta mbështet rivalin lokal, duke premtuar se nuk do t’i ngacmojë më kurrë nëse arrijnë ta mposhtin kampionin aktual.
“Për herë të parë në jetë: Forca Tottenham!! Nëse Tottenhami nuk e humb këtë ndeshje, atëherë nuk do t’i ngacmoj më kurrë… premtoj”, shkroi ai në rrjetin social “Twitter”.
Ozil ishte mahnitës në periudhën që kaloi te Arsenali, skuadër të cilës iu bashkua nga Real Madridi, por pastaj viti i fundit ishte jo i mirë shkaku i prishjeve të raporteve me trajnerin aktual Mikel Arteta.
Megjithatë, ai gjithnjë ka mbështetur Arsenalin pavarësisht largimit jo të mirë, duke shprehur dashuri për tifozët që i qëndruan pranë gjatë tërë kohës.