
OVL e UÇK-së akuzon Kurtin për bllokadën institucionale: Kosova nuk duhet të mbahet peng
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka reaguar lidhur me krizën institucionale në vend, duke e bërë përgjegjës kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për moskonstituimin e Kuvendit dhe vonesat në formimin e institucioneve të reja.
Në një reagim publik, OVL e UÇK-së ka kundërshtuar, siç ka thënë, çdo përpjekje për ta mbajtur Kosovën peng të interesave partiake, duke vlerësuar se situata aktuale po dëmton funksionimin e shtetit dhe rendin institucional.
“Pas zgjedhjeve, Kuvendi ende nuk funksionon dot, ndërsa vendi mbetet pa qeveri me mandat të plotë. Kjo nuk është strategji. Është sulm ndaj rendit institucional dhe ndaj vetë sigurisë së shtetit”, thuhet në reagimin e OVL-së së UÇK-së.
Veteranët e luftës theksojnë se përgjegjësinë kryesore për krizën politike e mban lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e akuzuar atë se po e vendos interesin partiak mbi atë shtetëror.
“Përgjegjësinë kryesore e mban Albin Kurti. Refuzimi i tij për ta vënë interesin kombëtar mbi pushtetin partiak e thellon paqëndrueshmërinë dhe dëmton lidhjet me aleatët tanë strategjikë, mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet më tej në reagim.
OVL e UÇK-së bën thirrje që kriza institucionale të tejkalohet sa më parë dhe vendi të pajiset me institucione funksionale, në përputhje me interesin e qytetarëve dhe rendin kushtetues.

