Osmani: Zvicra ndihmoi në rindërtimin e Kosovës që u ngrit nga hiri

Osmani: Zvicra ndihmoi në rindërtimin e Kosovës që u ngrit nga hiri

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, e cila u prit me nderime të larta shtetërore nga homologia e saj zvicerane, në fjalimin e mbajtur para Këshillit Federal të Zvicrës tha se një nga bekimet më të mëdha të Kosovës në historinë e saj ka qenë fakti se ka pasur partnerë nga Zvicra e vende të tjera evropiane deri te SHBA, të cilët i qëndruan Kosovës në kohët më të vështira. Prandaj, tha e para e shtetit, mirënjohja e popullit kosovar do të jetë e palëkundur.

Osmani tha se ka shumë gjëra pse Kosova e admiron Zvicrën.

“Ka shumë gjëra që i admirojmë dhe gjëra që aspirojmë t’i mësojmë nga Zvicra. Ajo çka e bën Zvicrën të dalluar është kultura politike e shkëlqyeshme që definohet me një shpirt bashkëpunimi dhe përkushtimi për vendimmarrje e gjithëpërfshirëse e dialogun që e bën me gjithë qytetarët e saj”, tha në këtë fjalim Osmani.

Osmani tha se Zvicra e ndihmoi Kosovën për t’u rindërtuar nga hiri pas një lufte të tmerrshme.

“Paqja, liria, demokracia, këto vlera nuk mbahen vetvetiu, ato nuk ndodhin aksidentalisht, por kërkojnë sakrificë e përpjekje të vazhdueshme, ato duhet të mbrohen sidomos në kohë të pasigurive dhe agresionit, siç po ballafaqohet tani Evropa dhe vlerat që i kemi të përbashkëta që i bashkon këto dy vende e këta dy popuj mund të vazhdoj vetëm nëse qëndrojmë së bashku”, shtoi tutje ajo.

Osmani tha se Kosova mund të jetë Republikë e re, por është e përcaktuar për demokraci funksionale e të hapur ndaj botës.

Presidentja e Kosovës tha se investitorët zviceran janë të mirëseardhur në Kosovë.

Si dëshmi të mirënjohjes e të miqësisë mes të dyja vendeve, Osmani ka përmendur edhe lojën e futbollit të luajtur mes Kosovës e Zvicrës ku tha se tifozët gëzoheshin kur shënoheshin gola nga të dyja anët e fushës. /RTK/

Share This