Osmani uron Rutten: Mezi pres të punojmë bashkë në avancimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka uruar Mark Rutten, për marrjen zyrtarisht të detyrës si sekretar gjeneral i NATO-s.
Osmani është shprehur e bindur se nën udhëheqjen e Ruttes, partneriteti dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe NATO-s do të forcohet edhe më shumë.
“Mezi pres të punojmë së bashku drejt garantimit të paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon dhe në avancimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.
Më tutje, ajo e ka falënderuar sekretarin e deritanishëm, Jens Stoltenbergun, për shërbimin dhe udhëheqjen e tij në krye të NATO-s.