Osmani takon kancelarin Scholz dhe kryeministrin grek Mitsotakis
Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar, ku po e përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka zhvilluar takime të ndara me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Presidentja Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se me kancelarin Scholz kanë pasur diskutim të rëndësishëm në kuadër të Samitit të Liderëve të EPC-së, lidhur me angazhimin e përbashkët për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Ndërkaq, gjatë takimit me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, e para e shtetit ka thënë se ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për ta avancuar bashkëpunimin me Greqinë.
“Thellimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Greqisë është i dobishëm jo vetëm për qytetarët e të dyja shteteve tona, por edhe për të gjithë rajonin”, ka shkruar Osmani. /rtk/