Osmani takohet me shefin e EULEX-it, flasin për situatën në veri
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, me theks të veçantë në veri dhe në kufi me Serbinë.
Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie.
Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit.