Osmani takohet me ministrin hungarez, bisedojnë për politikën, sigurinë dhe integrimin evropian

Osmani takohet me ministrin hungarez, bisedojnë për politikën, sigurinë dhe integrimin evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin hungarez për Çështjet e Bashkimit Evropian (BE), Janos Boka.

Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian, si dhe stabilitetin rajonal.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova është shembull pozitiv në rajon, pasi ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e transparencës dhe promovimin e qeverisjes së mirë.

Sipas presidentes Osmani, përkushtimi i Kosovës për integrimin evropian mbetet i fuqishëm, teksa po vazhdohet të punohet në drejtim të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat përveç se janë të pa drejta, prekin direkt interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Ndërsa në raport me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, në veriun e vendit, presidentja Osmani, ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për një hetim të plotë dhe profesional të sulmit terrorist ndaj infrastrukturës vitale, i cili kishte për qëllim dëmin direkt në jetën e qytetarëve.

Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e qëndrimit unik të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget përsëritja e sulmeve të tilla terroriste nga bandat kriminale, të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia.

Share This