
Osmani: Serbia vazhdon të fshehë fatin e rreth 1.600 të zhdukurve nga lufta në Kosovë
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia ende nuk ka zbardhur fatin e rreth 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Osmani ka kujtuar 23 intelektualët e Mitrovicës, të cilët, sipas saj, u rrëmbyen nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke lënë familjet e tyre për dekada në pritje të së vërtetës për fatin e tyre.
Ajo ka theksuar se zbulimi i një varreze masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të disa prej të zhdukurve, paraqet një moment lehtësimi për familjet, por njëkohësisht rikujton krimet e kryera gjatë luftës dhe nevojën për zbardhjen e plotë të fatit të personave të pagjetur.
“Serbia ende vazhdon t’i fshehë në mënyrë sistematike vendndodhjet e rreth 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka bërë thirrje për unitet shoqëror përballë dhimbjes së familjeve që ende kërkojnë të afërmit e tyre dhe përballë kërkesës për drejtësi.
Sipas Osmanit, përballë kësaj çështjeje, dallimet mes qytetarëve duhet të lihen anash, pasi kërkimi për të vërtetën dhe drejtësinë mbetet një përgjegjësi e përbashkët.

