Osmani: Regjimi i Millosheviqit nuk arriti ta shtyp shpirtin për liri
Presidentja Vjosa Osmani në 34-vjetorin e vizitës së senatorëve amerikanë në krye me Bob Dole në Kosovë për të parë krimet e regjimit serb, ka thënë se 29 gushti shënon fillimit e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.
“Regjimi brutal i Millosheviqit u përpoq ta shtyp dhunshëm protestën, por nuk arriti ta shtyp asnjëherë shpirtin e popullit tonë për liri, demokraci e pavarësi. 29 gushti i vitit 1990 shënoi fillimin e rrugëtimit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, dhe siç kishte thënë pas proteste edhe vet senatori Bob Dole: ‘liria po vjen, demokracia po vjen”, ka thënë Osmani gjatë ceremonisë së organizuar nga Komuna e Prishtinës.
Osmani tha se vizita e tyre bëri që thirrja për liri e drejtësi të dëgjohet dhe e vërteta të ndërkombëtarizohet.
“Në Prishtinë panë, evidentuan dhe siç e dëgjuat edhe vet, u tmerruan nga brutaliteti i regjimit të Millosheviqit. Sot ky shesh është i qetë, njerëzit e Kosovës janë të lirë, Kosova është shtet i pavarur e demokratik dhe SHBA-të janë këtu me ne”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja ka falënderuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vazhdon edhe sot të jetë aleati kryesor i Kosovës, teksa përmendi disa nga figurat kyçe të shtetit amerikan që lanë gjurmë në çlirimin e vendit.
“Më tepër se tri dekada më pas, ky shesh ruan kujtimin historik, një pllakë përkujtimore e vendosur para Hotelit Grand e ka përjetësuar këtë datë, një bust i senatorit Bob Dole dhe sekretares së Shtetit, Madelline Albright pak metra tutje, dhe një shtatore e ikonës së popullit të Kosovë, presidentit Bill Clinton, janë një histori e ngërthyer në 34 vjet”, ka thënë ajo.
Gjatë ceremonisë u shfaq përmbledhja e shkurtër që dokumenton vizitën e Dole dhe protestat e atëhershme, raporton rtk.