
Osmani: Personat e zhdukur janë plaga më e thellë e luftës
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.
Osmani, në një postim në Facebook, tha se ata që mungojnë janë “plaga më e thellë e luftës” dhe theksoi se drejtësia për ta është një premtim që nuk shuhet kurrë.
“Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me dhunë, me dhimbje e respekt të thellë kujtojmë qytetarët tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Secili emër në atë listë është një jetë e ndalur dhunshëm, një familje që pret, një plagë që kërkon shërim, një ankth që nuk shuhet kurrë”, shkroi Osmani, raporton rtk.
Ajo shtoi se, edhe pas 26 vjetësh nga përfundimi i luftës, Serbia vazhdon të refuzojë hapjen e arkivave që përmbajnë të dhëna për të zhdukurit me dhunë dhe për varrezat masive.
“Ky refuzim është përsëritje e përditshme e krimit, jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj familjeve të tyre dhe ndaj gjithë Kosovës. Prandaj, lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë. Kujtojmë me nderim dhe kërkojmë drejtësi me vendosmëri”, ka shkruar Osmani në Facebook.