Osmani përsëritë nevojën për heqjen e masave nga BE-ja, i quan të padrejta

Osmani përsëritë nevojën për heqjen e masave nga BE-ja, i quan të padrejta

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka ripërsëritur nevojën e heqjes së masave të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, të cilat i quajti të padrejta.

Kjo ishte edhe tema kryesore e takimit të saj me diplomatin irlandez, Ragnar Almqvist, të cilin e priti në takim gjatë ditës.

“Ndër temat kryesore të diskutimit ishte nevoja për heqjen e masave të padrejta, të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke nënvizuar se heqja e tyre do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar tutje në vlerat dhe vizionin e përbashkët të BE-së”, thuhet në njoftimin presidencial për këtë takim.

Aty u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve.

“Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe përkrahjen në organizatat ndërkombëtare. Ajo ka theksuar rëndësinë e partneritetit me Irlandën, si një vend me vlera të përbashkëta demokratike dhe një aleat i çmuar i Kosovës”, bëhet tutje e ditur për diskutimet në këtë takim, raporton rtk.

Presidenca thotë se gjithashtu, Osmani e Almqvist kanë biseduar edhe për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë në këtë proces.

Share This