Osmani për vrasjen në Graçanicë: Një grua më pak, një vrasës më shumë!
Presidentja e Kosovës Vjosa ka reaguar për vrasjen e sotme në Graçanicë ku viktimë është një grua.
Osmani ka shkruar se është e tmerruar dhe e indinjuar nga kjo vrasje dhe se mizori të tilla nuk duhet të tolerohen më.
“E tmerruar dhe e indinjuar nga vrasja brutale e gruas M.Zh. nga duart e bashkëshortit të saj në Gushtericë të Poshtme në komunën e Graçanicës. Mizori të tilla që po vazhdojnë të atakojnë shoqërinë tonë nuk duhet të tolerohen. Ky akt mizor nuk është një incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar”, ka shkruar presidentja në Facebook, shkruan rtk.
Osmani ka theksuar se institucionet e drejtësisë duhet të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të denimeve t`i japin fund femicidit.
“Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me denime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj”, ka shkruar presidentja Vjosa Osmani teksa i ka shprehur ngushëllime të thella familjes së viktimës.