Osmani për Carter: Kosova do ta nderojë si kampion për liri
Presidentja Vjosa Osmani është nënshkruar në Librin e Zisë për presidentin Jimmy Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë.
Osmani ka shprehur ngushëllimet ndaj familjes së të ndjerit dhe popullit amerikan.
“Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka uruar që shembulli i tij të udhëheqë të gjithë.
“Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet. Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shëmbëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë”, ka shkruar presidentja e Kosovës, raporton rtk.