
Osmani: Partnerët pyesin a do të zgjidhet qeveria e re para votimit në KiE në maj, Kosova ka nevojë për një ekzekutiv që e respekton Kushtetutën
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se partnerët po pyesin se a do të zgjidhet qeveria e re deri në maj, kur Komiteti i Ministrave pritet ta shqyrtojë sërish anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Ajo ka thënë se nuk do të duhej që mosformimi i qeverisë së re t’u jepej si arsyetim disa shteteve për ta shtyrë këtë vendim.
“Në aspektin praktik nuk do të duhej sepse presidenca udhëheq politikën e jashtme dhe Qeveria nuk ka kompetenca te limituara për kundër faktin që është në detyrë nga 22 marsi e tutje. Megjithatë, në aspektin e imazhit krijon një imazh të tillë. Dje kisha disa biseda me partnerët tanë pikërisht sa i përket votimit në maj në komitetin e ministrave dhe shumë prej tyre pyesnin se a do të zgjedhet qeveria deri në atë moment, etj, etj. Pra krijohet një imazh i cili pastaj iu jep arsyetim disa shteteve të thotë ‘ta shtyjmë edhe një herë’. Pra nuk do të duhej që ne t’iu jepnim askujt një arsyetim të tillë shpresoj që do të kemi Qeverinë dhe do të kemi Kuvendin e konstituar shumë shpejt”, ka thënë ajo në një intervistë për “RTV21”.
Osmani ka thënë se vendi ka nevojë për “qeveri stabile”.
“Kosova ka nevojë të ketë qeveri stabile tani sa është gjithëpërfshirëse është ajo në aspektin partiak i takon partive të vendosin nuk më takon mua si presidente të ndërhyjë në atë proces, me rëndësi është të kemi Qeveri të votuar në Parlamentin e Kosovës, Qeveri që e respekton Kushtetutën dhe që mbi të gjitha vendos interesin e republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është më rëndësi”, ka thënë ajo nga Antalia, ku kishte për Forumin e Diplomacisë.