Osmani para forcave detare amerikane: Jemi kombi më pro-amerikan në botë

Osmani para forcave detare amerikane: Jemi kombi më pro-amerikan në botë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të Sekretarit amerikan të Marinës ka mbajtur fjalim sot në U.S. Naval War College, në Simpoziumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Duke theksuar lidhjet e forta mes Kosovës e SHBA-ve, ajo ka deklaruar se agjenda për gratë është thirrje kolektive për veprim, e cila mund të rishkruajë themelet e paqes, barazisë dhe stabilitetit në botë.

“Mbyll këtë vit duke marrë një moment për të reflektuar mbi një temë që është thellësisht personale për mua dhe për të gjithë popullin e Kosovës dhe që është thelbësore për ndjekjen e paqes dhe sigurisë në mbarë botën. Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është më shumë se thjesht një grup përparësish. Ajo është një kornizë e provuar, një rrugë me fuqinë për të nxitur ndryshime transformuese në shoqëritë tona. Ajo nuk është një përpjekje e vetme, por një thirrje kolektive për veprim, e cila mund të rishkruajë themelet e paqes, barazisë dhe stabilitetit në të gjithë botën”, ka thënë Osmani.

Ajo mes tjerash ka falemnderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në veccanti burrat dhe gratë në uniformë,  që ndihmuan që ëndrra për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe sovrane të bëhej realitet.

“Për ne në Republikën e Kosovës, shërbimi dhe sakrifica e forcave amerikane, angazhimi i paluhatshëm për lirinë, demokracinë dhe paqen kanë frymëzuar breza të tërë. Roli strategjik që ju keni luajtur dhe vazhdoni të luani në operacionet e ruajtjes së paqes në mbarë botën është një dëshmi e mënyrës se si vlerat e përbashkëta shndërrohen në veprime të përbashkëta. Ato janë një kujtesë se partneritetet ndërtohen jo vetëm përmes marrëveshjeve, por përmes besimit, respektit  dhe shërbimit”, deklaroi presidentja Osmani.

Gjatë fjalmit, presidentja e Kosovës theksoi se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, dhe për këtë sipas saj, ka shumë arsye.

“Asnjë popull nuk ka respektin, mbështetjen dhe dashurinë që populli i Kosovës ka për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne themi me krenari se jemi kombi më pro-amerikan në botë dhe do të mbetemi kështu. Dhe padyshim, kemi shumë arsye për të qenë kombi më pro-amerikan, sepse ne qëndrojmë këtu sot, sigurisht, për shkak të sakrificës së gjatë dhe luftës për çlirim të popullit tonë. Por njëkohësisht, sepse ju qëndruat me ne gjatë momenteve tona më kritike, gjatë kohëve kur ishte në rrezik mbijetesa jonë”, u shpreh ajo.

Osmani gjithashtu ndau një një deklaratë të një ushtari amerikan të cilin e takoi gjatë vizitës në Teksas.

“Ai tha, dhe po e citoj, “Zonja Presidente, ishim të gatshëm të vendosnim jetën tonë në rrezik për të mbrojtur Republikën e Kosovës të sovranizuar dhe të lirë për këtë””, deklaroi presidentja kosovare, raporton rtk.

Share This