Osmani nga SHBA: Kosova po forcon pozicionin si partnere euroatlantike

Osmani nga SHBA: Kosova po forcon pozicionin si partnere euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon qëndrimin e saj zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Osmani ka bërë të ditur se sot ka qenë folëse në një panel të rëndësishëm kushtuar integrimit euroatlantik të Kosovës dhe çështjeve të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Reformat tona dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidentja ka theksuar se mbështetja e SHBA-së si aleati kryesor strategjik i Kosovës, së bashku me përkrahjen e aleatëve të tjerë ndërkombëtarë, po ndihmon në forcimin e themeleve të një rajoni më të sigurt dhe të qëndrueshëm.

“Me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatëve të tjerë, po forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike”, ka shkruar Osmani, raporton RTK.

Një ditë më parë, në një takim me delegacionin amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Osmani është shprehur se është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

Share This