Osmani në Nju Jork: Kosova është shteti më demokratik në rajon
Kosova është shteti më demokratik në rajon dhe kampione kur vjen fjala për sundim të ligjit. Kështu u shpreh presidentja Vjosa Osmani gjatë një diskutimi në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në Nju Jork, teksa theksoi se gjatë sulmit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar Serbia u përpoq të aneksojë veriun e Kosovës.
“Kur fokusohemi te sundim i ligjit, luftimi i grupeve kriminale, ne kemi qenë shumë efektiv. Këto grupe në veri të vendit, që janë udhëhequr nga Milan Radojçiq dhe shokët e tij, të cilët i kanë shërbyer presidentit serb Aleksandër Vuçiq, e që janë në listë të zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë përfituar miliona euro për vete në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, që jetojnë në komunat veriore të Kosovës”, tha Osmani.
Ajo tutje tha se kur institucionet e rendit e të sigurisë janë fokusuar në luftimin e këtyre grupeve, ato janë bërë më të dhunshme. “Sa më shumë që e kemi dëshmuar se nuk bëjmë kompromis me kriminelët aq më të dhunshëm janë bërë”, tha presidentja.
E para e shtetit tha se presidenti serb përdor metoda nga e kaluara që t’i mbajë peng qytetarët serbë të Kosovës, në vend që t’i lejojë ata të ecin përpara e të integrohen në një shoqëri multietnike siç është Kosova.
“Ne, në Kosovë besojmë të kundërtën, edhe pse mbi 90 përqind e popullsisë është shqiptare, ne u kemi ofruar sistemin më të mirë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive elementare, sepse ne nuk duam që askush të kalojë nëpër atë që kemi kaluar ne. E dimë çfarë është të jetosh i diskriminuar, kështu që ne duam që secili të ndihet i barabartë dhe i sigurt”, nënvizoi Osmani.
Osmani gjithashtu shpjegoi situatën e zgjedhjeve lokale në veri dhe pse ishin ato të nevojshme. “Presidenti i Serbisë i detyroi serbët të japin dorëheqje nga pozitat e tyre, përfshirë edhe kryetarët në katër komunat veriore. Për shkak të situatës së sigurisë në veri, unë i kam shtyrë zgjedhjet lokale që gjërat të qetësoheshin në aspektin e sigurisë dhe ata të kishin mundësi të organizohen dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Fatkeqësisht për shkak të presionit ndaj qytetarëve serbë që jetojnë në veri, kishte një bojkot, një bojkot i detyrueshëm. Ne ju dhamë edhe një shans. Vuçiq kishte premtuar se nëse serbëve u jepet edhe një shans nuk do të ndërhyjë. Ata nënshkruan një peticion dhe organizuam sërish zgjedhje dhe ai sërish ndërhyri dhe nuk mbajti fjalën e tij, dhe sërish kishte bojkot, dhe kryetarët nuk u ndryshuan”, shtoi Osmani.
Presidentja foli edhe për sulmin terrorist në Banjskë një vit më parë, si dhe për forcat e shumta ushtarake dhe artilerinë e shtetit serb në kufij me Kosovën. “Serbia kreu akt agresioni ndaj Kosovës në shtatorin e kaluar. Përveç kësaj, kanë shtuar edhe artilerinë dhe forcat ushtarake përreth kufirit me Kosovën, që nuk ishte parë në 25 vitet e fundit, duke rrezikuar paqen e stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin. Nga ajo që është konfiskuar në veri kur terroristët u larguan, dokumente, harta, armë, të gjitha treguan se qëllimi ishte aneksimi i veriut të Kosovës. Ata deshën që kur të ulemi të dialogojmë në Bruksel, të ngritet çështje tjetër, kush cilën pjesë të territorit ta marrë”, theksoi Osmani. /rtk