Osmani: Mungesa e Kuvendit funksional rrezikon parimin kushtetues

Osmani: Mungesa e Kuvendit funksional rrezikon parimin kushtetues

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar se mungesa e një Kuvendi funksional po rrezikon seriozisht parimin kushtetues të ndarjes dhe funksionimit të pushteteve.

Në deklarimin e saj pas takimit me katër liderët e partive politike, Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn, presidentja Osmani theksoi se ky është vetëm hapi i parë në një seri konsultimesh që do të vazhdojnë edhe në formatet e tjera, përfshirë takime individuale me liderë politikë, nëse kjo shihet e nevojshme.

Ajo bëri të ditur se në takimin e sotëm janë ftuar fillimisht subjektet kryesore parlamentare dhe bartësit e koalicioneve, ndërsa në ditët në vijim do të takohen edhe liderët e partive të komuniteteve joshumicë, si dhe liderë të tjerë politikë sipas kërkesave.

E para e shtetit tha se moskonstituimi i kuvendit mund t’i duket dikujt se dëmton vetëm politikanë apo parti të caktuara, megjithatë sipas saj, pasojat kryesore i bart vendi ynë dhe të gjithë qytetarët pa dallim.

“Kushtetuta e Kosovës ndër parimet themelore parasheh se parimi i ndarjes së pushteteve apo parimi i kontrollit dhe balancit është një ndër vlerat dhe parakushtet e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe një ndër shtyllat që parashihet aty është edhe legjislativi. Me mungesën e kuvendit funksional po rrezikohet ky parim kushtetues. Prandaj, edhe sot në takimin e parë i kam inkurajuar liderët e partive politike që në funksion të realizimit të këtij parimi kushtetues të gjejnë zgjidhje të përbashkët për konstituimin e kuvendit, që përveç se do të siguronte funksionimin kushtetues të institucioneve po ashtu do të hapte rrugë edhe për krijimin e qeverisë së re“, tha ajo.

Ajo bëri të qartë se këto nuk janë konsultime për formimin e qeverisë së re, pasi një proces i tillë u takon ekskluzivisht negociatave të partive politike.

“Më lejoni të sqaroj se ky është vetëm takimi i parë dhe nëse shihet e nevojshme do të takojë liderët e partive edhe individualisht për të vazhduar edhe me formate tjera sipas nevojës. Këto nuk janë konsultime për formimin e qeverisë së re sepse këto ekskluzivisht i takojnë negociatave të partive politike dhe institucioni i Presidentes nuk është institucion që përfaqëson ndonjë parti, por përkundrazi”, shtoi e para e shtetit. /rtk/

Share This