Osmani: Mirënjohje e përjetshme për miqtë tanë të lirisë dhe paqes

Osmani: Mirënjohje e përjetshme për miqtë tanë të lirisë dhe paqes

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe përkushtimin e aleatëve të Kosovës, gjatë një darke të organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në SHBA.

Në fjalimin e saj, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe lirisë, duke nënvizuar se paqja nuk është diçka që trashëgohet, por diçka që ndërtohet,  mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht, njofton Presidenca.

“Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha presidentja Osmani, raporton RTK.

E para e shtetit po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

“Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”, shtoi Osmani.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë.

Share This