Osmani: Kosova në BE është synimi për të cilin po punojmë ҫdo ditë

Osmani: Kosova në BE është synimi për të cilin po punojmë ҫdo ditë

Në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidentja Vjosa Osmani ka takuar presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa.

“Në dritë të zhvillimeve të fundit në fushën e sigurisë, duke përfshirë sulmin terrorist në infrastrukturën tonë kritike, ritheksova rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ta ruajtur stabilitetin në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor si dhe për të mbajtur përgjegjës autorët e këtij krimi, njësoj sikurse edhe autorët e aktit të agresionit në Banjskë të kryer po ashtu nga Serbia dhe strukturat e saj”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.

Ajo ka thënë se avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe heqja e masave kufizuese do të ishte një mesazh i fuqishëm për të gjithë rajonin se bashkërendimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së si dhe reformat në sundim të ligjit e demokraci janë parime mbi të cilat nuk bën të shkelet.

“Do të jepte mesazhin se linjëzimi me BE-në e jo me Rusinë, është ajo që të shtyen përpara. E mbi të gjitha, do të ishte proces i bazuar në punë, reforma e përkushtim ndaj vlerave të BE-së”, ka theksuar Osmani.

Share This