Osmani: Kosova është gati për integrim evropian, BE të heqë sanksionet

Osmani: Kosova është gati për integrim evropian, BE të heqë sanksionet

Presidentja Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se Kosova është gati për integrimin evropian, ka kërkuar trajtimin me prioritet të aplikimit për anëtarësim dhe heqjen e sanksioneve të BE-së.

Ajo ka thënë se vizioni i Costas për zgjerimin e Bashkimit Evropian është më i domosdoshëm se kurrë, specifikisht në një kohë kur zhvillimet politike dhe të sigurisë globale janë të paparashikueshme.

“Kosova është gati të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit evropian. Institucionet tona po fuqizohen gjithnjë, vit pas viti. Qytetarët tanë, pa asnjë dyshim, janë më pro-evropianët në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin tonë. Nëse integrimi evropian është një rrugë që kërkon besim, përkushtim dhe durim, atëherë është koha që kjo të reflektohet përtej fjalëve, por edhe me vepra konkrete sa i përket integrimit tonë,” ka thënë ajo.

Osmani ka kërkuar trajtimin me prioritet të aplikimit për anëtarësim të Kosovës, dokument ky i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Ajo ka potencuar gjithashtu mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, duke kërkuar që ta trajtojnë si çështje strategjie dhe se s’mund të ketë stabilitet rajonal e as një Evropë të lirë e të bashkuar, në qoftë se dikush mbetet peng i pranimit të një realiteti – pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

“Këtë verë po bëhen dy vite prej vendimit për vendosjen e masave. Çdo minutë më shumë me masat në fuqi është një minutë më shumë padrejtësie, por edhe një minutë më shumë larg jetësimit të ëndrrës evropiane të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, dhe një vonesë më shumë të projektit të zgjerimit bazuar në merita,” ka thënë Osmani. /rtk/

Share This