
Osmani i paraqet emisarit vërejtjet për draftin e BE-së për Asociacionin
Presidentja e Shtetit, Vjosa Osmani, në takimin e parë që zhvilloi me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i shprehu atij vërejtjet që ka për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje që sipas presidentes, duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës.
Kështu ka njoftuar Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media që lëshuan pas takimit.
Aty thuhet se në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura.
Tutje, në këtë takim Osmani-Sorensen, u diskutua për zhvillimet politike në vend, derisa presidentja theksoi rëndësinë e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe nevojën konstituimit të institucioneve sa më parë, me qëllim të vazhdimit të reformave kyçe për integrimin evropian të vendit.
Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa, thuhet se e para e shtetit ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marrëveshjes së shkurtit 2023.
“Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe theksoi se, në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë. Ajo ritheksoi gjithashtu nevojën për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE-ja, në qershor 2023, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim si dhe dëmtimin e vet procesit të dialogut duke e bërë atë të pabalansuar”, thuhet në komunikatën presidenciale.
Sipas Osmanit, Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit po i dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe balansin e nevojshëm në dialog.
Gjatë takimit, njofton Presidenca, se u diskutua roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit. /rtk/