Osmani: Familja Jashari emblemë e UÇK-së, kullat e tyre – kala e lirisë

Osmani: Familja Jashari emblemë e UÇK-së, kullat e tyre – kala e lirisë

Krerët e shtetit kanë bërë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se sakrifica e familjes Jashari është dritë udhërrëfyese për forcimin e Kosovës.

“Ata luftuan shumë më gjatë sesa vetëm përgjatë viteve të luftës, duke u shndërruar kështu në emblemë të UÇK-së si dhe duke i shndërruar kullat e Jasharëve në simbol të kalasë së lirisë, që edhe sot e mbron Kosovën, sovranitetin dhe pavarësinë. Nga këtu jo vetëm ne si breza që e përjetuam luftën, por edhe brezat e rinj, fëmijët tanë inspirohen për rrugën përpara për mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë e gjak. Mbi të gjitha na përkujtohet të gjithëve se sa i lartë ka qenë çmimi për lirinë tonë”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur se përveç figurës së Adem Jasharit, nuk duhet harruar fakti që dhjetëra gra e vajza janë flijuar nga po kjo familje, duke e bërë edhe më të shenjtë sakrificën e tyre.

“Kjo rrugë dhe sakrificë e tyre do të shërbej për secilin për ne si dritë udhërrëfyese për forcimin e Kosovës, e cila çdo ditë po bëhet më e fortë”, ka thënë presidentja, raporton rtk.

Share This