Osmani: Epopeja e UÇK-së, testament i përjetshëm. Kurti: Ka përcaktuar ritmin e mendimit politik

Osmani: Epopeja e UÇK-së, testament i përjetshëm. Kurti: Ka përcaktuar ritmin e mendimit politik

Në kuadër të përkujtimit të ”Epopesë së UÇK-së” dhe 27 vjetorit të rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar se kjo epope është testament i qëndresës, i sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë.

Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës, i sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë”, ka shkruar presidentja Osmani në rrjetin social në Facebook.

Ndërkaq në mbledhjen solemne të qeverisë së Kosovës kryeministri Albin Kurti tha se ‘Epopeja së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përcaktuar ritmin e mendimit politik.

Ngjarje që përmblidhet nën fjalën Epope, krejt sikurse emri që i është vënë na e ka ritmuar historinë tonë bashkëkohore për më shumë se një çerek shekulli. Kjo do të thotë se na ka përcaktuar ritmin e mendimit politik dhe jo vetëm. Emrat Shaban, Adem e Hamëz janë kthyer në absolutët tanë. Gratë e familjes Jashari janë bërë simboli i marrëdhënies mes gruas së popullit autokton. Fëmijët e familjes Jashari janë tashmë simboli më i madh i masës historike të flijimit të popullit tonë”, tha Kurti.

Kurti tha se në lëndinën e Prekazit, emrat Jashari e të tjerët që prehën me ta, janë emrat absolut të lirisë, e në atë datë kur lindi Ademi i madh, në datën më historike të shqiptarëve, 28 Nëntorin,  shpallet edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas kreut qeveritar, na takon si popull e  shoqëri, në qeverisje e zhvillim të ruajmë ritmin e bërjes së historisë.

Distanca jonë kohore prej këtyre ditëve shembullore mbushi kohën e pjekurimit të një brezi. 27 vjeçarët e sotëm, kanë lindur në motin e Epopesë. Çfarë themi kur Epopeja na ka përcaktuar një ritëm, ç’është ky ritëm? E gjejmë në fjalët e bacës Rifat në 25 vjetorin e Epopesë përpara trupës së ushtrisë tonë kur tha, -“Mbi luftën e gjakun, të gjemë një gjuhë të përbashkët.” Në Kuvend, po baca Rifat e artikuloi edhe më tej. -“ Të jemi të një gjuhe, për t’u ndarë një herë e mirë prej Serbisë, e pastaj kemi kohë të merremi me të gjitha të tjerat”, citoi Kurti fjalën e Rifat Jasharit.

Sulmi i Serbisë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u kthye në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë, nga ku sot bëhen 27 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë mbrojtën Kosovën nga pushtuesi serb.

Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 ngriti çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore.

Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe që përkujtohet  më 5, 6 e 7 mars të çdo viti.

Në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të ‘Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’ (UÇK), presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti do të marrin pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që do të zhvillohet sot, më 5 mars.

Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani do të marrë pjesë në këtë ceremoni, e cila do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në orën 12:00. Pjesë e aktiviteteve, do të jetë edhe ligjërata në shkollat e Kosovës ku ora e parë mësimore do t’i kushtohet ‘Epopesë së UÇK-së. /rtsh/

Share This