
Osmani e Kurti në `Defender 25`: Kosova e gatshme për anëtarësim në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë vizituar nga afër ushtarët e FSK-së dhe ata amerikanë dhe të kombeve të tjera të cilët po marrin pjesë në ushtrimin e quajtur “Defender Europe 25”.
Presidentja e vendit ka theksuar se ky bashkëpunim tregon se Kosova jo vetëm që është e gatshme të kontribuojë në operacione të tilla, por njëkohësisht është e gatshme që të jetë shtet dhe anëtar i NATO-s.
“Jemi të gatshëm jo vetëm të kontribuojmë në operacione të tilla, por njëkohësisht të jemi shtet i barabartë dhe shtet anëtarë i NATO-s. Dua t’i falënderoj gjeneralët e SHBA-së që janë jo vetëm sot, por që janë një kohë të gjatë me ushtarët tanë në trajnime e përgatitje”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, ushtrimi “Defedender 25 është dëshmi e fuqishme e aleancës së palëkundur në mes të SHBA-së dhe Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin e përbashkët ushtarak “Defender 2025” është dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët e NATO-s dhe e përkushtimit të vendit për anëtarësim në këtë aleancë.
Kurti ka theksuar se përmes këtij ushtrimi është treguar fuqia vepruese e Kosovës dhe aftësia për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe më gjerë.
“Në këtë rast konkretisht, Republika e Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, bashkë me ne, kemi arritur të tregojmë dhe demonstrojmë fuqinë tonë për veprueshmërinë që e kemi me NATO-n. Në këtë mënyrë e forcojmë kauzën tonë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm për dobi të vendit tonë, por edhe për kontributin që jemi në gjendje të japim,” u shpreh Kurti.
Ai bëri të ditur se në ushtrimin “Defender 2025” kanë marrë pjesë gjithsej 29 shtete, dhe se për zhvillimin e këtij ushtrimi janë shpronësuar rreth 4500 hektarë tokë, të cilat tashmë janë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
“Këtu në Babaj të Bokës kemi investuar për të treguar përkushtimin tonë për trajnimet e vazhdueshme që do të rrisin aftësitë dhe kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës,” shtoi ai.
Kurti falënderoi gjithashtu gjeneralët amerikanë dhe oficerët e ushtrisë së SHBA-ve për mbështetjen dhe praninë e tyre gjatë zhvillimit të ushtrimit të përbashkët, raporton rtk.