Osmani e ftuar nga Macron në ceremoninë e rihapjes së Notre Dames
Presidentja Vjosa Osmani do t`i bashkohet liderëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame.
“Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu janë ftuar për këtë ceremoni nga presidenti francez Emmanuel Macron. Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Élysée, në një darkë të organizuar nga presidenti Macron për krerët e shteteve që do të marrin pjesë në ceremoni”, njofton Presidenca e Kosovës, raporton rtk.
Presidentja do të jetë në Paris krahas presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump dhe liderëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës.
Katedralja e Notre Dame, monument 850 vjeçar i trashëgimisë kulturore, është restauruar pas zjarrit shkatërrues të pesë viteve më parë.