
Osmani: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 26 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake policore serbe.
Osmani, në një postim në Facebook, thotë se kjo është dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
“24 Marsi, dita kur liria mori krahë! Ishte dita kur bota demokratike nuk heshti! Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, ka shkruar Osmani në Facebook, transmeton rtk.
Presidentja thotë se nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur.
“Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran!”, ka shkruar Osmani.