Osmani‐deputetëve: Trajtojeni Projektligjin për Parandalimin e Vetëvrasjes
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka dalë në përkrahje nismës së peticionit qytetar për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes.
Ajo ka thënë se në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes, të gjithë bashkërisht duhet ta rikujtojmë një të vërtetë të fuqishme: gjithmonë ka shpresë! ”
Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne mund ta thyejmë heshtjen, ta çrrënjosim stigmën dhe të tregojmë se askush nuk duhet të ndihet i vetëm në çfarëdo sfide apo beteje”, ka theksuar presidentja Osmani.
Ajo ka theksuar se dorëzimi i sotëm nga shoqëria civile i peticionit për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, e me mbështetje të mbi 13000 qytetarëve, është hap i duhur në këtë drejtim.
Osmani i ka ftuar deputetët që kjo nismë të trajtohet me prioritet.
“I ftoj të gjithë deputetët e Republikës që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor. Pas miratimit të këtij ligji, Republika e Kosovës do ta ketë një kornizë ligjore e cila trajton këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit tonë dhe do t’u ofrojë përkrahjen e nevojshme të gjithë atyre që janë duke u përballur në këtë betejë”, ka thënë Osmani, raporton rtk.