Orav tregon cilat janë kushtet për anëtarësim në BE: Kosova ka nevojë për shumë ‘detyra të shtëpisë’

Orav tregon cilat janë kushtet për anëtarësim në BE: Kosova ka nevojë për shumë ‘detyra të shtëpisë’

Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen atë herë kur pajtohen të gjitha shtetet anëtare dhe pas diskutimeve të cilat janë në proces e sipër.

Kështu ka deklaruar shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, gjatë vizitës së tij me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Duke thënë se Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa iu bashkangjitur edhe shtetet e Ballkanit Perëndimorë, ai është pyetur se çfarë duhet të bëjë Kosova për tu anëtarësuar.

Derisa në përgjigjet e tij ambasadori Orav shtoi se Kosova duhet të përmbushë kushtet apo “detyrat e shtëpisë”.

“Unë mendoj se është thënë shumë herë nga shumë nivele të BE-së, që BE nuk është e kompletuar para se të gjitha shtetet e Ballkanit t’i bashkëngjiten. Shpresa ime e sinqertë është se kjo do të ndodhë sa më shpejtë. Por, kjo do të thotë që Kosova ka nevojë për shumë ‘detyra të shtëpisë’… Çfarë nevojitet për t’i hequr masat e Kosovës është konsensusi i 27 shteteve të BE dhe pastaj ka plotë diskutime të cilat janë akoma në proces e sipër”, ka thënë Orav.

Orav edhe gjatë ditës së martë ka zhvilluar takime të ndara me liderët e partive politike në Kosovë.

Ai ka përmendur qytetarët e Kosovës duan anëtarësimin në BE, për çka Qeveria duhet të punojë për ta realizuar.

Derisa edhe zyra e kryeministrit ka njoftuar se në takimin Kurti-Orav përveç procesit zgjedhor u diskutua edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

Share This