
Op-Ed | Stadiumi që nisi pa njeriun e futbollit!
Në qytetin e Gjilanit dje u mbajt një ceremoni e pritur shumë gjatë: vendosja e gurthemelit për stadiumin e ri të qytetit. Pas një sërë vonesash, premtimesh dhe përshtatjesh projektesh, ky moment duhej të shënonte një kthesë të rëndësishme – jo vetëm për infrastrukturën sportive, por edhe për vetë besueshmërinë institucionale. Megjithatë, ajo që duhej të ishte ditë entuziazmi, u përshkua nga një mungesë e pazakontë: mungesa e kreut të futbollit të Kosovës, presidentit të FFK-së, Agim Ademi.
Në ceremoninë ku ishin figura të larta politike – nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, te kryetari i komunës Alban Hyseni dhe ministri në detyrë i sportit, Hajrulla Çeku e zëvendësja e tij, Daulina Osmani – askush nuk e adresoi këtë mungesë. Ndoshta nuk u konsiderua e rëndësishme, ndoshta u anashkalua me vetëdije. Por në thelb, kjo flet shumë për mënyrën se si ndërtohen projektet publike në Kosovë: shpesh me shumë bajraktar, por pak përfshirje të atyre që janë realisht të përfshirë në fushën për të cilën po ndërtohet diçka.
Një stadium futbolli, në çdo vend normal, projektohet me kontributin aktiv të federatave sportive, me konsultime nga ekspertët dhe me një plan të qartë për përdorim të qëndrueshëm. Nëse këto parime do të ndiqeshin, nuk do të ishte e imagjinueshme një nisje e tillë pa praninë – apo së paku përfshirjen e Federatës së Futbollit.
Kjo ngre pyetje të natyrshme: cili është vizioni për këtë stadium? A është menduar si një investim për sportin dhe komunitetin, apo si një projekt për kapital politik? Kur mungon bashkëpunimi me strukturat sportive, krijohet përshtypja se më shumë rëndësi ka simbolika publike sesa funksioni praktik.
Është për të ardhur keq që qytetarët e Gjilanit, të cilët me të drejtë kërkojnë një infrastrukturë të denjë për sportin, shohin sërish një projekt që nis mes entuziazmit të kamerave, por pa praninë e profesionistëve të sportit. Një nisje pa njerëzit e futbollit është një nisje e cunguar – dhe për ta kthyer këtë projekt në sukses të vërtetë, do të duhet shumë më tepër sesa një ceremoni gurthemeli.