“Old Trafford”, në rrezik rrënimi
Vazhdimësia e Erik ten Hag në krye të Manchester United nuk do të jetë i vetmi vendim i rëndësishëm që Sir Jim Ratcliffe do të duhet të marrë me ardhjen e tij në pronësi të skuadrës angleze.
Edhe pse Premier League do t’i duhet gjashtë deri në tetë javë për të ratifikuar blerjen e 25% të klubit nga pronari i INEOS, në këmbim të 1.3 miliardë paundëve, manjati britanik premton të përmbysë gjithçka te Djajtë e Kuq.
As Old Trafford-i historik nuk mund të shpëtojë nga ndryshimet rrënjësore që Sir Jim Ratcliffe dëshiron t’i bëjë klubit. “Shtëpia 113-vjeçare e Manchester United po arrin ‘fundin e jetës së saj natyrale’, kështu që klubi mund ta rindërtojë atë ose të ndërtojë një stadium të ri”, raporton Telegraph.
Pronari i INEOS ka premtuar një investim prej 245 milionë paund për të përmirësuar infrastrukturën e Old Trafford dhe terrenit stërvitor Carrington.
Rindërtimi i ‘Teatrit të Ëndrrave’ është një nevojë që Glazerët nuk e kanë mbuluar, në pritje të një investitori të ri.
Për momentin, klubi po shqyrton tre mundësi: një projekt të vogël rimodelimi, zgjerimin e tribunës jugore dhe rimodelimin e plotë të stadiumit aktual, ose ndërtimin e një stadiumi krejtësisht të ri.