OKB dënon sulmet izraelite në Siri

OKB dënon sulmet izraelite në Siri

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar sulmet e vazhdueshme të Izraelit në territorin sirian, duke i cilësuar si “shkelje të sovranitetit të Sirisë”.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, ka theksuar se Guterres po ndjek me shqetësim rritjen e tensioneve në disa zona të Damaskut dhe dënon të gjitha aktet e dhunës ndaj civilëve, si dhe çdo veprim që përshkallëzon tensionet sektare.

“Në këtë kontekst, ai dënon gjithashtu shkeljen e sovranitetit të Sirisë nga Izraeli, përfshirë sulmin ajror të fundit pranë pallatit presidencial në Damask. Është thelbësore që këto sulme të ndalen dhe që Izraeli të respektojë sovranitetin, unitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Sirisë”, ka deklaruar Dujarric në një konferncë për media.

Ai ka theksuar se Guterres mirëpret përpjekjet e qeverisë siriane për të ulur dhunën dhe për të ruajtur stabilitetin, duke u bërë thirrje autoriteteve që të hetojnë në mënyrë transparente dhe të hapur çdo shkelje të raportuar.

“Sekretari i Përgjithshëm nënvizon nevojën për një tranzicion politik të besueshëm, të rregullt dhe gjithëpërfshirës në përputhje me rezolutën 2254 (2015) të Këshillit të Sigurimit”, ka deklaruar ai.

Gjatë ditës së premte, ushtria izraelite kreu një sulm ajror pranë pallatit presidencial në Damask, duke pretenduar se objektivi ishte prania e grupeve të armatosura në jug të qytetit dhe kërcënimet ndaj komunitetit druzë.

Koha e sulmit është konsideruar veçanërisht provokuese, pasi ndodhi vetëm pak orë pas një deklarate publike të udhëheqësve të komunitetit druzë, të cilët riafirmuan mbështetjen për unitetin e Sirisë dhe refuzuan çdo formë separatizmi.

Vëzhguesit e pavarur vlerësojnë se sulmet izraelite synojnë të shfrytëzojnë tensionet sektare për të justifikuar ndërhyrjen dhe për të nxitur fragmentimin e vendit. Ndërkohë, autoritetet siriane kanë deklaruar vazhdimisht se të gjitha grupet fetare dhe etnike në vend gëzojnë të drejta dhe përfaqësim të barabartë. /rtk/

Share This