OKB: Britania e Madhe të marrë masa kundër gjuhës së urrejtjes raciste
OKB i ka kërkuar Britanisë së Madhe që të ndërmarrë veprime për të frenuar gjuhën e urrejtjes raciste, përfshirë politikanët, në një raport të botuar sot, sipas BBC.
Kërkesa vë në dukje vazhdimësinë e gjuhës së urrejtjes të publikuar në mediet kryesore, në internet dhe të përhapur nga politikanët dhe figurat publike.
Raporti nuk veçoi politikanë apo raste të veçanta, por u kërkoi autoriteteve që “të refuzojnë zyrtarisht dhe publikisht dhe të dënojnë gjuhën e urrejtjes dhe shpërndarjen e ideve raciste”.
OKB-ja tha se ishte “veçanërisht e shqetësuar” për aktet raciste dhe dhunën nga grupet “e ekstremit të djathtë dhe supremacist të bardhë”, të tilla si gjatë trazirave të fundit në Angli dhe Irlandën Veriore të nxitura nga dezinformatat dhe ndjenjat kundër emigrantëve.
Rekomandimet e OKB-së erdhën nga rishikimi i saj katërvjeçar i të dhënave të MB-së për trajtimin e diskriminimit racor – një kërkesë për vendet nënshkruese të konventave ndërkombëtare.
Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor i kërkoi Mbretërisë së Bashkuar të trajtojë profilizimin e supozuar racor nga policia dhe diskriminimin në drejtësinë penale, strehimin, shkollat dhe kujdesin shëndetësor.
Ai tha gjithashtu se ishte veçanërisht i shqetësuar nga këmbëngulja dhe në disa raste “rritja e madhe” e krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes në MB.
Të paktën 466 persona janë akuzuar për krime që lidhen me trazirat, disa prej të cilave synonin xhamitë dhe hotelet që strehonin azilkërkuesit.
Kryeministri Keir Starmer në atë kohë tha se trazirat ishin “veprime të një pakice të vogël dhe të pamend” dhe dënoi “urrejtjen e së djathtës ekstreme”.
OKB-ja rekomandoi që Mbretëria e Bashkuar të parandalojë krimet raciste të urrejtjes duke inkurajuar raportimin në polici, ndjekjen penale të autorëve dhe forcimin e masave për të luftuar gjuhën e urrejtjes në mediat sociale.
OKB-ja tha se pakicat etnike ende vuanin diskriminim në një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë strehimin, shkollimin dhe aksesin në kujdesin shëndetësor.
Në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar, nxënësit mbetën subjekt i bullizmit dhe paragjykimeve të motivuara nga raca – veçanërisht nëse ata ishin me origjinë afrikane ose nga komunitetet cigane ose rome.
Të gjitha shtetet anëtare të OKB-së shqyrtohen rregullisht nga OKB-ja për të vlerësuar pajtueshmërinë e tyre me konventat ndërkombëtare. /atsh/