OKB: 1260 persona të arrestuar në trazirat paszgjedhore të Venezuelës
Të paktën 1 260 persona, përfshirë më shumë se 100 të mitur, janë arrestuar në trazirat paszgjedhore të Venezuelës, ndërsa janë regjistruar 23 vdekje, raportoi sot Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Shifrat vijnë nga një Mision i Pavarur Ndërkombëtar i Fakteve të OKB-së në Venezuelë dhe mbulojnë periudhën nga 28 korriku – kur vendi i Amerikës së Jugut organizoi zgjedhjet e tij të diskutueshme – deri më 8 gusht.
“Protestat në rrugë, si dhe kritikat në mediat sociale, në javët pas zgjedhjeve janë përballur me shtypje të ashpër nga shteti – duke nxitur një klimë frike”, thuhet në një deklaratë nga këshilli.
Këshilli i përshkroi ndalimet si “arbitrare” dhe vuri në dukje se prindërit nuk janë lejuar të shoqërojnë fëmijët e tyre në proceset gjyqësore.
Nga 23 personat që, sipas OKB-së, vdiqën për shkak të protestave, 18 ishin të rinj nën 30 vjeç. Shumica dërrmuese e tyre u vranë me armë zjarri.
Presidenti Nicolas Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013, u shpall fitues i zgjedhjeve muajin e kaluar nga autoriteti zgjedhor i vendit, i cili shihet si besnik ndaj Maduros.
Opozita akuzon qeverinë për mashtrim zgjedhor dhe pretendon fitoren e kandidatit të saj Edmundo Gonzalez.
Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë njohur Gonzalez si fituesin e ligjshëm të zgjedhjeve.