OKB: 11 662 viktima civile pas fillimit të luftës në Ukrainë

OKB: 11 662 viktima civile pas fillimit të luftës në Ukrainë

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt 2022, zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka regjistruar 11 662 vdekje civile dhe 24 207 plagosje, por numri mund të jetë më i lartë duke marrë parasysh se vetëm muajin e kaluar viktimat civile ukrainase ishin në të paktën 219 dhe më shumë se 1 000 ishin të plagosur, sipas zyrtarit të Departamentit për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Miroslav Jencha, i cili njoftoi për këtë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

”Tridhjetë muaj pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, vuajtjet njerëzore vazhdojnë të përkeqësohen mes raporteve alarmante të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, përfshirë objektet bërthamore”, tha ai.

”Tragjikisht, këto shifra janë në rritje, pasi raketat, predha dhe dronët vazhdojnë të godasin qytete dhe qyteza në të gjithë Ukrainën çdo ditë”’, shtoi Jencha.

”Ndikimi i rëndë i krizës humanitare prek veçanërisht gratë, të cilat përbëjnë 56% të 15 milionë njerëzve që kanë nevojë për ndihmë në Ukrainë”, nënvizoi ai.

”Në zonat e vijës së frontit, veçanërisht në Ukrainën lindore dhe jugore, fshatra dhe qytete të tëra janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht”, tha zyrtari i lartë i OKB-së duke shtuar se ”operacionet humanitare në disa zona nuk kanë akses për njerëzit në nevojë”.

Qëllimi i OKB-së këtë vit është të ofrojë ndihmë për shpëtimin e jetës për 8,5 milionë njerëz, përfshirë edhe gjatë dimrit, por vetëm 41% e 3,1 miliardë dollarëve të nevojshëm sipas Planit të Reagimit Humanitar janë financuar deri më tani. /atsh/

Share This