Oda Amerikane: Qeveria të përmbahet nga masat që përjashtojnë Kosovën nga nismat rajonale
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka vlerësuar si shqetësuese paralajmërimet e ditëve të fundit lidhur me mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga nismat e bashkëpunimit rajonal për shkak të qasjes aktuale.
OEAK ka përsëritur thirrjen e saj ndaj Qeverisë së Kosovës për shfuqizim të masës që pengon lëvizjen e lirë të mallrave nga shtetet anëtare të marrëveshjes CEFTA, teksa ka theksuar se “një masë e tillë rrezikon jo vetëm të arriturat e shënuara përgjatë viteve, por kërcënon prospektet e ardhshme të Kosovës, të cilat do të rezultonin nga bashkëpunimi ekonomik”.
“Oda Amerikane rithekson se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për realizimin e aspiratave për integrim euro-atlantik, ndërsa qasja aktuale e cila mund të çojë në izolim ekonomik e politik, do të sillte pasoja të paparashikueshme për Kosovën, rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve, aq më tepër që paralajmërimet e tilla nuk duhet të shihen si retorikë boshe, meqë tashmë Kosova është duke u ballafaquar me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, të cilat rezultojnë në mundësi të humbura të zhvillimit ekonomik dhe përparimit social”.
“Duke qenë të vetëdijshëm për barrierat e shumta me të cilat ballafaqohen prodhuesit nga Kosova në përpjekjet për plasimin e produkteve të tyre në tregun rajonal, Oda Amerikane përsërit qëndrimin e saj se këto sfida duhet të adresohen përmes mekanizmave të paraparë në kuadër të aranzhimeve për tregti të lirë dhe përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv”, ka thënë OEAK në këtë reagim
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon edhe një herë nga Qeveria e Kosovës që të konsiderojë rëndësinë e koordinimit me të gjitha shtetet aleate, dhe të përmbahet nga veprimet që kanë efekt të kundërt në realizimin e synimeve të përbashkëta për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.
“Investitorët seriozë duhan të investojnë nga tregjet e mëdha dhe të integruara, ndërsa Kosova duhet të pozicionet në mënyrë të duhur për të realizuar potencialin e saj të plotë”, ka përfunduar OEAK. /Klankosova.tv