
OBSH paralajmëron për krizë shëndetësore të përhapur në Lindjen e Mesme, kërkohet dhënie fund e armiqësive
Shefja rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Mesdheun Lindor, Dr. Hanan Balkhy, deklaroi se fundi i armiqësive në Lindjen e Mesme është e nevojshme për parandalimin e një “krizë shëndetësore që po zhvillohet në kohë reale”.
“Spitalet dhe institucionet e kujdesit shëndetësor duhet të trajtohen si “strehë të sigurta””, theksoi Balkhy, duke shtuar se “sulmet ndaj impianteve të desalinizimit dhe rreziku ndaj centraleve bërthamore mund të shkaktojnë pasoja katastrofike për miliona njerëz”.
Sipas saj, lufta SHBA-Izrael ndaj Iranit ka shkaktuar mbi 1,500 viktima në Iran, më shumë se 1,000 në Liban dhe të paktën 16 në Izrael, ndërsa më shumë se një duzinë të vdekurish janë raportuar në Bregun Perëndimor dhe vendet arabe të Gjirit. Ndërprerja e trajtimeve për pacientët me sëmundje kronike dhe zhvendosja masive e njerëzve, 3.2 milionë në Iran dhe mbi 1 milion në Liban brenda një muaji, po përkeqëson situatën shëndetësore në rajon.
Balkhy paralajmëroi se efektet e konflikteve do të jenë afatgjata, duke përfshirë rritjen e vdekshmërisë së nënave, probleme të shëndetit mendor dhe fëmijë të mbetur jetimë pa arsim. OBSH-ja po punon me agjenci të tjera për të zvogëluar ndikimin e mundshëm të këtyre krizave, duke monitoruar gjithashtu ndotjen e ujit dhe rreziqet nga impiantet e energjisë bërthamore dhe naftës.
“Po e shohim këtë të zhvillohet në një mënyrë shumë të rrezikshme. E vetmja zgjidhje është një ulje e ndjeshme e tensioneve, ose të paktën një pauzë e përhershme e luftës”, tha Balkhy, duke kërkuar që sektorët shëndetësorë të mbeten të pacenuar.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, duke theksuar se sulmet ndaj spitaleve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor kanë bërë që civilët të mos ndihen më të sigurt brenda institucioneve shëndetësore, siç ndodhte në të kaluarën. /rtsh/


