Obama dhe Pelosi raportohet se kanë kërkuar që Biden të rishqyrtojë kandidimin
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, privatisht ka shprehur shqetësime te demokratët lidhur me kandidaturën e presidentit Joe Biden, dhe Nancy Pelosi privatisht e ka paralajmëruar Bidenin se demokratët mund ta humbin aftësinë që të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nëse ai nuk largohet nga gara për zgjedhjet e nëntorit. Kështu raportoi Associated Press duke u thirrur në burime të informuara për këtë çështje, shkruan Rel.
Pelosi po ashtu i ka treguar sondazhe Bidenit dhe ka argumentuar se ai me gjasë nuk mund ta mposhtë republikanin Donald Trump, edhe pse ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të enjten përmes një deklarate tha se raportimet me burime anonime “keqinterpretojnë çdo bisedë” që ajo mund të ketë zhvilluar me presidentin.
Pelosi dhe Obama janë demokratët e nivelit më të lartë që raportohet se i kanë bërë thirrje Bidenit të rishqyrtojë vendimin për të garuar edhe për një mandat.
Obama raportohet se u ka thënë aleatëve se Bideni duhet të marrë parasysh qëndrueshmërinë e fushatës së tij, por gjithashtu e ka bërë të qartë se ky vendim i përket Bidenit që ta ndërmarrë. Ish-presidenti ka folur ditëve të fundit me udhëheqës të Kongresit, me guvernatorë demokratë dhe me donatorë kyçë. Ata kanë diskutuar për shqetësimet e tyre për Bidenin, i cili ka shërbyer si nënpresident i Obamas.
Biden ka insistuar se ai nuk do të largohet nga gara, duke thënë se ai është kandidati që ka mposhtur në të kaluarën Trumpin dhe do ta mposhtë sërish. I pyetur nëse Biden mund ta shqyrtojë mundësinë që të largohet nga gara, zëvendësmenaxheri i fushatës së tij, Quentin Fulks tha më 18 korrik se “ai nuk lëkundet për asgjë”.