Numër në rritje viktimash në Kharkiv, Donetsk dhe Belgorod

Numër në rritje viktimash në Kharkiv, Donetsk dhe Belgorod

Numri i viktimave në konfliktin në Ukrainë u rrit sërish, me viktima të raportuara nga Kharkivi dhe rajoni Donetsk në Ukrainë dhe nga qyteti rus i Belgorodit, sipas zyrtarëve.

”Numri i të vdekurve nga një sulm ajror rus në një ndërtesë apartamentesh në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, u rrit nga gjashtë në shtatë, ndërsa numri i të plagosurve u dyfishua në të paktën 97”, thanë autoritetet lokale.

”Ndër të vdekurit është një vajzë 14-vjeçare, ndërsa 22 të mitur u plagosën”, tha guvernatori ushtarak, Oleh Syniehubov.

”Të paktën dy civilë vdiqën në fshatin Cherkaska Lozova”, njoftoi Syniehubov në Telegram.

Tetë persona u plagosën gjithashtu.

Në rajonin e Donetskut, i cili kontrollohet kryesisht nga trupat e Moskës, të paktën pesë persona u vranë nga granatimet ruse në qytetin Chasiv Yar.

”Rusët qëlluan herët në mëngjes, predha goditën një shtëpi private dhe një shtëpi shumëkatëshe”, njoftoi në Telegram kreu i administratës ukrainase i rajonit të sulmuar të Donetskut, Vadym Filashkin.

Burrat e vrarë ishin të moshës nga 24 deri në 38 vjeç.

“Chasiv Yar është një qytet ku jeta normale nuk ka qenë e mundur për më shumë se dy vjet. Mos u bëni një objektiv rus! Shkoni në siguri!”, tha Filashkin.

Duke pasur parasysh përparimin e trupave ruse në rajonin e Donetskut, ai kishte urdhëruar së fundmi evakuime në dhjetëra fshatra.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte raportuar më parë për një avancim të mëtejshëm në rajonin e Donetskut.

Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, vëzhguesit ushtarakë ukrainas konfirmuan gjithashtu se trupat ruse kishin fituar edhe një herë territor në rajon. /atsh

Share This