“Nuk mund t’u themi tifozëve prisni dhe pak”, Southgate: Nëse s’e fitojmë Europianin largohem nga Anglia
Trajneri i Anglisë Gareth Southgate deklaron në prag të nisjes së Kampionatit Europian, Gjermani 2024 se nëse nuk e fitojnë këtë kompeticion me shumë mundësi mund të largohet nga kombëtarja e “Tre Luanëve”.
Në prononcimin e bërë së fundmi për mediet ai theksoi se ky mund të jetë shansi i tij i fundit, ndërsa shtoi se nuk mund t’u thotë tifozëve që të presin edhe më ndonëse ka tetë vite në krye të Anglisë.
“Nëse nuk fitojmë, ndoshta nuk do të jem më këtu. Mund të jetë shansi i fundit. Mendoj se gjysma e trajnerëve kombëtarë largohen pas një turneu, kjo është natyra e futbollit ndërkombëtar. Kam qenë këtu për gati tetë vjet dhe jemi afër (për të fituar Kampionatin Europian), kështu që e di që nuk mund të vazhdojmë të qëndrojmë para turmës dhe të themi ‘ju lutem, prisni edhe pak’, sepse në një moment njerëzit do të humbasin besimin dhe unë dua të jem një trajner i klasit të lartë, kështu që ne duhet të jemi në lartësinë e momenteve të mëdha”, deklaroi Southgate. /SS/