Nuk iu bëhet vonë për paralajmërimet, Qeveria i përgjigjet kritikave të Sarrazinit
Mesazhet që një ditë më parë i dha Gjermania, përmes emisarit të saj për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i ka komentuar Qeveria e Kosovës e cila u kritikua nga diplomati gjerman.
Zyra e Kryeministrit, përmes zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, kanë thënë se ekzekutivi ka prioritete të qarta në politikën e jashtme ndaj të cilave angazhohet çdo ditë.
Edhe për përpjekjet në anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe kalimin e fazës së parë, ekzekutivi meritat ia ka lënë vetes.
“Si rezultat i angazhimit të diplomacisë sonë, me 24 prill 2023 u kalua faza e parë suksesshëm me mbi 2/3 e nevojshme dhe me 16 prill 2024 kishim një votë të fuqishme në favor të anëtarësimit të plotë, ku 82% e delegatëve të Asamblesë Parlamentare, duke përfshirë edhe ata nga vendet mos njohëse, votuan në favor të Kosovës. Kjo dëshmon në radhë të parë meritat e Kosovës por edhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që ajo të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkohë, sipas ish-diplomatit kosovar, Blerim Canaj, deklarimi i Sarrazin tregon se partnerët ndërkombëtarë janë ngopur me mos dëgjueshmërinë e qeverisë së Kurtit.
E kjo sipas tij po dëshmohet me gjuhën që po përdorin diplomatët gjermanë, të cilët thotë se ishin përkrahësit kryesor që Kurti të vijë në pushtet.
“Pas shumë veprimeve dhe pash shume marrëveshjeve të cilat kanë rezultuar me mospërmbushje të premtimeve nga kryeministri Kurti, edhe partnerët tanë janë ngopur me këto çështje dhe tani po flasin direkt me ne”, ka thënë ish-diplomati, Blerim Canaj.
Kritika ka edhe politologu, Fidan Ukaj, që e fajëson kryesisht Kurtin.
“Sarrazin ka të drejtë një pjesë nga deklarimet e tij, se Kosova, duhet t’i dalin për zot politikave të saj po ashtu të dinë, të manovrojnë në arenën ndërkombëtare. Po e e citoj një thënie të presidentit të Kroacisë, i cili tha se në fillimet tona, ne nuk kishim miq por i bëmë e tani më Kroacia është pjesë e NATO-s dhe BE-së, kurse të Kosova kishte kritik se, Kosova kishte shumë miq por tani kjo miqësi po zbehet. E kjo krejt falë politikave kryeneqe të kryeministrit”, ka thënë Ukaj.
Gjermani përmes emisarit Sarrazin por edhe ambasadorit të saj në Prishtinë ka alarmuar se për shkak të mos përkushtimit të Kosovës për bashkëpunim rajonal, mund të mbes jashtë Procesit të Berlinit. /Dukagjini/