“Nuk i kam ndërhyrë në formacion”, Presidenti i Federatës në kundërsulm ndaj Mancinit
Roberto Mancini dorëzoi në mënyrë të papritur dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares së Italisë.
Trajneri i mirënjohur italian pasi e mbylli me të kaltërit theksoi se një nga arsyet e dorëheqjes ishte mungesa e besimit nga kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.
Por, nuk vonon shumë dhe ky i fundit i kundërpërgjigjet Mancinit duke theksuar se i ka besuar gjithnjë duke u shprehur se nuk i ka ndërhyrë kurrë në formacion apo t’i ketë sugjeruar për të grumbulluar ndonjë lojtar të caktuar.
“Nuk dua të bëj shumë polemika në lidhje me Mancinin. Por, më duhet të them së bëri disa deklarata që ishin ofensive ndaj meje. Unë nuk kurrë nuk kam zbritur në fushë që t’i ndërhyj atij në punë, nuk i kam sugjeruar asnjë lojtar dhe nuk i kam ndërhyrë kurrë në formacion. Nuk i meritoja ato fjalë. Megjithatë, përtej të gjithave nuk e mohoj sërish se kam një miqësi të mirë me Mancinin.
Kam pasur besim të plotë te Mancini, e kam treguar me vepra këtë. Kur u mposhtëm nga Maqedonia e Veriut në Palermo dhe mbetëm jashtë Botërorit, unë dola në konferencë së bashku me Mancinin. Nuk e pata problem të dilja edhe unë në atë moment, vetëm të mos e lija vetëm.
Nëse nuk do të kisha besim nuk do t’i zgjasja kontratën deri në vitin 2026 dhe as nuk do ta emëroja si përgjegjës për sektorin e të rinjve. Ende nuk e di pse Mancini foli në atë mënyrë dhe nuk e di nëse i mendon vërtet ato që thotë”, përfundoi Gravina.
Kujtojmë se tashmë Italia do të nisë një epokë të re teksa drejtimin e katër herë Kampionëve të Botës e ka marrë Luciano Spalletti.