Nuk gabon Reali, mundi Alaves-in

Nuk gabon Reali, mundi Alaves-in

Real Madridi ka arritur një fitore me rezultat 1-0 ndaj Deportivo Alaves në ndeshjen e Javës në La Liga, pavarësisht se për më shumë se një pjesë loje ka luajtur me një lojtar më pak pas përjashtimit të Kylian Mbappe me karton të kuq në minutën e tridhjetë e nëntë.

Ndeshja e zhvilluar në “Estadio Mendizorrotza” ka nisur më mirë për vendasit, që kanë kërkuar të përfitojnë nga forma jo e mirë e Real në udhëtim. Megjithatë, Alaves nuk ka arritur të konkretizojë asnjë nga përpjekjet e veta, ndërsa madrilenët kanë marrë kontrollin me kalimin e minutave.

Goli i vetëm i takimit ka ardhur në minutën e 34-të, kur Eduardo Camavinga, pas një kombinimi me Arda Güler, ka lëshuar një goditje të saktë dhe të rrotulluar nga distanca për ta mposhtur portierin Jesus Owono.

Vetëm pesë minuta më pas, Real Madrid ka mbetur me dhjetë lojtarë pasi Kylian Mbappe është ndëshkuar me të kuq pas një faulli të rëndë ndaj Antonio Blancos. Vendimi është konfirmuar pas rishikimit me VAR.

Alaves e ka shfrytëzuar  përkohësisht epërsinë numerike, duke krijuar disa raste të mira me Kike Garcían, Carlos Vicenten dhe Toni Martínezin, por portieri Thibaut Courtois ka qenë në nivelin e duhur për ta ruajtur rrjetën e paprekur.

Në minutën e 70-të, forcat në fushë janë barazuar sërish, pasi mbrojtësi i Alavésit, Manu Sánchez, është ndëshkuar me karton të kuq pas një ndërhyrje ndaj Vinicius Junior.

Përkundër faktit se të dy ekipet kanë luajtur me nga dhjetë lojtarë në pjesën e fundit të ndeshjes, Real nuk ia ka arritur ta gjejë golin e sigurisë. Vetëm në minutën e 89-të, Jude Bellingham ka rrezikuar me një goditje të fuqishme, të cilën Owono e ka ndalur me një pritje të shkëlqyer.

Fitorja e sjell Realin sërish në rrugën e duhur, duke i dhënë fund një serie prej tri ndeshjesh pa fitore dhe duke e mbajtur presionin mbi Barcelonën në krye të tabelës. Aktualisht Barcelona në vendin e parë ka 70 pikë, ndërsa Real në vendin e dytë ka 66 pikë.

Share This