Nuk do të hidhet “Vallja e Fundit”, Ronaldo s’është gati për “duelin mitik”
Pas anulimit të dy miqësoreve në Kinë, Al Nassr do të ketë nesër një provë shumë të rëndësishme ndaj Inter Miamit, në kuadër të Ryad Season Cup.
Një ndeshje e quajtur “Vallja e Fundit”, sepse Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do të përballeshin ndoshta për herë të fundit në karrierën e tyre futbollistike.
Ndeshja e shumëpritur, në rikujtim të betejave të shumta mes dy lojtarëve që kanë pushtuar skenën gjatë 20 viteve të fundit, fatkeqësisht nuk do të zhvillohet dhe arsyeja është e njëjta që e detyroi klubin saudit të shtynte miqësoret kundër Shangait Shenua dhe Zhejiang.
Kampioni portugez ende nuk është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi i pulpës së majtë që e mundon prej disa javësh.
Një problem i cili, megjithatë, sipas trajnerit Luis Castro është pothuajse i zgjidhur:
“Ronaldo është në pjesën e fundit të procesit të rikuperimit dhe më pas do t’i bashkohet grupit. Shpresojmë që në ditët në vijim të fillojë punën me skuadrën. Ai do të mungojë nesër”, tha ai në konferencën për median.