
“Nuk do lejojmë askënd që të na çarmatosë”, zotohet lideri i Hezbollahut, ndërsa Izraeli vret dy operativë në Liban
Udhëheqësi i grupit libanez Hezbollah tha të premten se “nuk do të lejojë askënd që ta çarmatosë”, ndërsa Uashingtoni vazhdon të shtyjë autoritetet libaneze që lëvizja e mbështetur nga Irani të dorëzojë armët.
“Nuk do të lejojmë askënd ta çarmatosë Hezbollahun apo të çarmatosë rezistencën” kundër Izraelit, tha Naim Qassem në një deklaratë televizive. “Dua ta heqim nga fjalori këtë idenë e çarmatimit,” shtoi ai.
Lideri i Hezbollahut tha se ishte gati për dialog mbi një “strategji mbrojtjeje, por jo nën trysnin e pushtimit” nga Izraeli.
“Izraeli duhet të tërhiqet (nga jugu i Libanit) dhe të ndalë agresionin, dhe shteti libanez duhet të fillojë procesin e rindërtimit,” deklaroi Qassem.
Gjatë së premtes, Izraeli goditi me dronë objektivat në jug të Libanit, duke vrarë dy operativë të Hezbollahut. Grupi libanez ka kërkuar që ushtria izraelite të tërhiqet nga pesë pikat strategjike të vendit përpara se të ulet për bisedime rreth çarmatimit. Një ditë më parë, ushtria izraelite njoftoi se me anë të një droni goditi për vdekje edhe një komandant të Hezbollahut në jug të Libanit.
Ndër kushtet e armëpushimit të 27 nëntorit, që pushoi luftën mbitrembëdhjetëmujore, ishte edhe kërkesa që Hezbollahu të largohej nga jugu i Libanit, ndërsa Izraeli lejohej të vepronte kundër atyre që i konsideronte kërcënime jetike nga grupi.
Sulmet e përditshme nga Hezbollahu kundrejt Izraelit nisën më 8 tetor 2023, një ditë pas Hamasi mësyu në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke marrë peng 251 banorë, gjë që nxiti edhe luftën aktuale në Gazë. /TI