“Nuk bëhem shok me Klopp as me ndonjë trajner tjetër”, Howe: Çfarë shoqërie, dua t’i mund!
Newcastle pret Liverpool për llogari të javës së tretë të Premier League teksa sfida ka nisur të nxehet edhe nga komentet e fundit të trajnerit të “Magpies”, Eddie Howe.
Ky i fundit shprehet se nuk mund të ketë shoqëri me teknikun e Liverpool, Jurgen Klopp. Madje, Howe thekson se nuk mund të jetë mik as me kolegët e tjerë të Premier League pasi objektivi i tij i vetëm është t’i mposhtë ata.
“Nuk kam marrëdhënie me asnjë trajner, nuk mund të kem shoqëri sepse jam në një kompeticion dhe më duhet t’i mposht. Për mua është pak e vështirë të krijoj një raport me ata që i kam kundërshtarë. Kështu është tipi im, i tillë kam qenë edhe si lojtar. Vendosja kufi dhe më duket diçka normale.
Por, dua të theksoj se e respektoj dhe e vlerësoj jashtë mase Jurgen Klopp. Është një trajner i jashtëzakonshëm, por shoqëri nuk mund të ketë. Unë nuk toleroj as fëmijët e mi, kërkoj të fitoj edhe kur bëj ndonjë lojë me ata. Kështu jam ndërtuar”, u shpreh Howe.