Një tjetër “legjionar” për “zikaltërit”, Inter gati të bëjë ofertën për Ylber Ramadanin
“Zikaltërit” e Inter e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë edicion futbollistik, teksa deri më tani mbajnë vendin e parë, si në Serie A, ashtu edhe në grupin e UEFA Champions League, duke treguar ndeshje pas ndeshjes dominancën e tyre.
Mirëpo, pavarësisht periudhës së mirë që po kalon ekipi, sërish “dyshja e çmendur” e merkatos “zikaltër”, Beppe Marotta e Piero Ausilio dëshirojnë ta forcojnë ekipin edhe më shumë dhe tashmë në fokus të nënkampionëve të Evropës është vënë një tjetër “legjionar” i Kombëtares shqiptare e më konkretisht “lideri” i mesfushës së Lecce, Ylber Ramadani.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, kjo ishte edhe arsyeja pse Ausilio ishte i pranishëm në mitikun “Air Albania” për të ndjekur nga afër përballjen Shqipëri-Çeki, teksa mësohet se vetë italiani tanimë po tenton një marrëveshje me kosto të ulët dhe po përgatitet një ofertë drejt Lecce-s, ofertë e cila nuk pritet të kalojë shifrat e 10 milionë eurove.