“Një snajper nga njëmbëdhjetë metra”, “Marca” thur elozhe për Uzunin
Fundjavën, që sapo lamë pas, “ylli” i Kombëtares, Myrto Uzuni gjeti përsëri rrugën e rrjetës këtë me fanellën e Granada, në sfidën ndaj Alaves, duke u ngjitur kështu, në kuotën e 10 golave në La Liga në këtë sezon, jo pak për sulmuesin shqiptar, duke llogaritur se luan me një skuadër e cila duket e destinuar për të rënë nga kategoria.
Performancat e tij e kanë vënë në qendër të vëmendje, aq sa edhe e përditshmja spanjolle “Marca”, i ka kushtuar një artikull sulmuesit shqip[tar, i cili po bën më së miri punën e tij në radhët e klubit të La Liga.
“Uzuni, një snajper nga 11 metrat”, titullohet shkrimi, i cili kujton se sulmuesi e ka kthyer në specialitet gjuajtën nga pika e bardhë.
“Edhe pse ka luajtur me gjilpëra dhe me dhimbje prej javësh, atij nuk iu dridh pulsi. Uzuni e ekzekutoi goditjen me saktësi, duke e çuar topin pranë shtyllës, për të bërë shtrirjen e portierit kundërshtar të pavlerë. Me golin e realizuar, lojtari nga Berati ka që tani 4 gola të shënuar nga 11 metrat, duke iu bashkuar Mayoral, Pepelu dhe Dovbyk si një nga specialistët e La Liga në këtë seksion”, thuhet në artikullin e “prestigjiozes” spanjoll.
Mirëpo, nuk mbaron me kaq, pasi më tej, në artikull përmendet fakti se Uzuni ka realizuar 11 nga 13 penalltitë që ka gjuajtur me fanellën e Granada, me një përqindje të lartë realizimi, teksa theksohet edhe pasi u shpall golashënuesi më i mirë i La Liga 2 me 23 gola, ai ka ruajtur edhe këtë vit standartin në elitë.
“Shqiptari ka arritur që tani kuotën e 10 golave dhe e sheh veten përkrah sulmuesve si Gerard Moreno, Rodrigo, Hugo Duro dhe En-Nesyri”, shkruan gazeta spanjolle, duke i bërë kështu “thirrje”, tekniku Sylvinho, që të ketë në vëmendjen e tij edhe “bomberin” nga Berati, për fazën finale, të Kampionatit Evropian, Euro 2024.