
Një shqiptaro-amerikan merr komandën e një luftanijeje amerikane
Ambasada amerikane në Tiranë, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka përcjellë sot historinë e Alban Dervishit, qytetarit që ka lindur dhe është rritur në Tiranë, por prej 25 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë po realizon ëndrrën e tij duke marrë drejtimin e një luftanijeje amerikane.
“Një ‘Tirons’ që merr komandën e një luftanijeje amerikane! Njihuni me komandant Alban Dervishin, shqiptaro-amerikani i cili do të marrë komandën e USS Pearl Harbor në qershor të 2025-ës. I lindur në Tiranë dhe me origjinë nga një familje ushtarake, Albani dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara 25 vjet më parë për të ndjekur ëndrrën amerikane”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.
Nga ana e tij, Albani në një videomesazh thotë se është një djalë që ka lindur dhe është rritur në Tiranë, ka studiuar në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” dhe në moshën 16-vjeçare është larguar drejt ëndrrës amerikane, në Nju-Jork bashkë me familjen e tij.
“Ndihem shumë krenar që këtë qershor do marrë komandën e USS Pearl Harbor. Kam një jetë të tërë që e prisja këtë moment dhe është një nder i madh. Nder, sepse gjatë gjithë karrierës sonë, ne i kushtojmë shumë kohë për të arritur këtë majë dhe më jepet një shans fantastik, ndaj mezi pres të kryej detyrën”, thotë ai.
“Babanë dhe gjyshin i kam pasur ushtarakë, kështu që ushtria më tërhoqi pak dhe sidomos ajo amerikane me ushtrinë më të madhe në botë. Mu dha kjo mundësi dhe thashë pse jo! E kam filluar si marinar i thjeshtë dhe gjithçka shkoi me shkallë, një mundësi më shumë dhe lëviznin gjërat. Gjatë karrierës sime, kam qenë në shtatë anije të ndryshme, kam lundruar në çdo det të botës, edhe në operacionet më kritike, përfshirë luftën e Afganistanit, Irakut dhe operacione të tjera. E them me shumë krenari që jam shqiptar”, përfundon Dervishi videomesazhin e postuar nga Ambasada amerikane. / ATSH